Procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi i barabartë i palëve, ka thënë Vjosa Osmani.
Këto komente, Presidentja e Kosovës i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur në Prishtinë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Siç njofton Presidenca, Osmani dhe Sorensen kanë diskutuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë, raportet me BE-në, si dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.
“Ajo [Osmani] potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
E para vendit ka potencuar se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se “interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”.
Osmani e ka informuar Sorensen-in edhe për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë dhe vlerësoi se zgjedhjet “dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane”.
Jashtë kësaj, Presidentja ka përshëndetur vendimin e dhjetorit të BE-së për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një “hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Osmani ka theksuar se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian “është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së”.
“Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”, shtohet.









