Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në New York, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të cilës i ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se me Kallas-in ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, shkroi presidentja.
Kosova, theksoi ajo, mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
BE-ja kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të veprimeve që Qeveria e Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit, i kishte ndërmarrë në Veri të vendit.