Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Në njoftimin e tij për takimin, Kurti ka bërë të ditur se një prej temave kryesore ishte sulmi në Banjskë të Zveçanit dhe verdikti i Gjykatës Speciale.

Kurti ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për t’i bërë presion Serbisë që Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur që morën pjesë në sulm të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Në takim, kryeministri ka ngritur edhe çështjen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kurti ka shprehur, siç ka thënë, “shqetësimin e thellë” për dënimet e shqiptuara, duke i cilësuar ato si të rënda dhe të padrejta.

Gjithsesi, edhe aty ka thënë vetëm se Kosova do të angazhohet që çështja të trajtohet në shkallën e apelit.

Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte ajo e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai e ka njoftuar Kallasin se shqiptarët në Serbi përballen me diskriminim dhe nënpërfaqësim në institucione dhe për “spastrimin etnik administrativ” përmes heqjes së adresave.

Në fund të takimit, Kurti ka përsëritur kërkesën e Kosovës për avancim në procesin e integrimit evropian.