Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale ka zbuluar se gjatë fushatës së bombardimeve kishte komunikuar drejtpërdrejt me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili në atë kohë ishte drejtor politik i UÇK-së.
“Fola me Thaçin. Madje, i kërkova atij ndihmë”, deklaroi Clark. Ai theksoi se lufta e UÇK-së duhet parë në kontekstin e shtypjes së rëndë serbe ndaj popullit shqiptar.
“Njerëzit po luftonin kundër shtypjes. Ka momente kur individët kalojnë nga të qenit të quajtur ‘terroristë’ në luftëtarë të lirisë. Në një pikë, opinioni botëror dhe konsensusi ndërkombëtar thotë: po, këta njerëz kanë të drejtë t’i rezistojnë shtypjes”, tha Clark.
Clark vuri në dukje se e drejta për rezistencë është e rrënjosur në dokumente themelore të demokracive perëndimore.
“Kjo është e shkruar në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së dhe është një praktikë e njohur ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Duke e rikthyer vështrimin në historinë e Kosovës, Clark theksoi se kthesa ndodhi pasi regjimi i Slobodan Millosheviçit që nga viti 1974 nisi një periudhë të gjatë shtypjeje.
“Në një moment, diçka që mund të ishte cilësuar si terrorizëm, përfundimisht u bë mbrojtje kolektive e një populli. Dhe unë e kuptoj këtë”, përfundoi Clark.








