Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se në takimin e Presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive politike të premten, asnjëra nga partitë shqiptare nuk kishte interes për ta krijuar shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë së re.

“Shumica e partive shqiptare në tërësi e kanë demonstruar edhe një herë se nuk ka shumicë parlamentare. Asnjëri nuk është interesuar nëse do të ketë një mandatar të dytë për të provuar në parlament” tha Limaj në Klan Kosova.

“Pak a shumë,” thekson ai, “ky ka qenë boshti i diskutimeve.”

Ftesën e Osmanit për partitë e quajti si “obligim kushtetues dhe institucional”.

“Këto konsultime janë të rregullta dhe kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Ne aty secili e kemi pasur rastin ta pyesim presidenten se çka tani? A ka gjasa që të krijohet një shumicë? Kjo që do të kalonte në parlament dhe që do të kishte shumicën për të formuar qeverinë” shtoi Limaj ndër të tjera.

Ndryshe, pas takimit me Osmanin, liderët e partive opozitare: Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së kërkuan që sa më parë të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, pasi që, siç thanë ata, askush nuk e ka shumicën.

Nga ana tjetër, Kurti nuk foli fare pas takimit me Osmanin, por kjo e fundit njoftoi se kreu i VV-së ka kërkuar edhe disa ditë kohë në lidhje me mandatarin e dytë para përfundimit të afatit kushtetues më 5 nëntor, kur Presidentja duhet të vendos për mandatarin e dytë – nëse ka – apo zgjedhjeve të reja.