Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se gjatë takimit me Papa Leonin XVI në Vatikan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do ta marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.
“Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do ta marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani në Facebook.

Tutje, Osmani theksoi se ka përcjellë edhe “ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë”.
“Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për ta avancuar miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe dhe harmoni në mbarë botën”, shtoi ajo.
Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë, sipas të dhënave zyrtare, Kosova njihet nga 120 vende të botës. Shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Siria; kjo njohje u bë publike në fund të tetorit të këtij viti.









