Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, Kurti, sic njofton zyra e Kryeministrit, “shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni”.

Bëhet e ditur se në takim është diskutuar mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. “Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin”.

“Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme”, tha Kurti, sic citohet nga zyra e tij.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e Kosovës për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

“Kryeministri theksoi se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara”, thuhet në njoftim.

“Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja”.

Kurti ka kujtuar se përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoijçiç, ka pranuar përgjegjësinë. “Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës”.

“Gjatë diskutimit, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave. Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave”.