Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se planifikon të udhëtojë për në Hungari për një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Ai ka thënë se dëshiron të ndihmojë në përfundimin e çka ai e quan luftës së “pandershme” mes Rusisë dhe Ukrainës.
Trump ka pasur një bisedë telefonike me Putin këtë të enjte. Ai e ka përshkruar telefonatën si “produktive”.
Pas bisedës, Trump u ka thënë gazetarëve se ai do ta takojë Putinin “me shumë gjasë gjatë dy javëve në vijim”.
I pari i SHBA-së ka njoftuar po ashtu se janë pajtuar që të aranzhojnë një takim mes zyrtarëve të lartë javën e ardhshme. Pala amerikane do të udhëhiqet nga sekretari i shtetit, Marco Rubio.
Këshilltari presidencial rus, Yury Ushakov, u ka thënë mediave lokale se biseda ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë dhe se ka qenë “shumë e dobishme”.
Ushakov ka shtuar se Trump ka paralajmëruar se mund të ndodhë që SHBA-të të furnizojnë Ukrainën me raketa Tomahawk, duke thënë se një lëvizje e tillë do të përbënte një dëmtim serioz të raporteve të tyre.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pritet ta takojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë këtë të premte. Ai ka shkruar në rrjete sociale se veç se ka arritur në Washington.
Dy liderët me shumë mundësi do të diskutojnë Tomahawkët. Zelenskyy po ashtu kritikoi Putinin, duke thënë se ai është në nxitim për të rifilluar dialogun për shkak të kërcënimit të raketave.
Ai përfundoi duke thënë se “gjuha e forcës dhe së drejtës” do të funksionojë kundrejt Rusisë.









