Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur lidhur me deklaratat që ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë të mërkurën, e cila ka ngritur dyshime për bisedimet në mes të Kurtit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të negociuara nga ish i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Më duhet të shkoj në Ferizaj”, ka thënë Kurti shkurt kur është pyetur nga gazetarët pas vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, të enjten.
Gjatë një tubimi me qytetarët në lagjen “Dardania” në Prishtinë, Osmani theksoi se edhe pse ka qenë Presidente, nuk i është treguar se çfarë është biseduar me Serbinë, derisa e pyeti edhe Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nëse i është treguar për këto biseda, i cili e mohoi.
“Presidente e Republikës së Kosovës, po s’më kanë tregu çka kanë folë. Parlamentin e keni pas. A ju ka tregu juve najher si opozitë? Kurrë. A nuk mendoni që e kanë detyrim me dal para qytetarëve? Me një dhomë veç vet, veç vet Kryeministri i Kosovës, Presidenti i Serbisë edhe ai Lajçak Epstein-i qeta 3 janë kanë, veç qeta tre janë kanë edhe goxha gjatë qekjo është pyetja”.
Osmani theksoi se në legjislaturën e ardhshme do të kërkojë krijimin e një komisioni parlamentar për këtë çështje.
“Po na Parlamentin e ardhshëm komision hetimor parlamentar me kërku çka kanë diskutu ata, qekjo është pyetja, ata çka kanë diskutu, ata çka po fshehin?”, konsideron ajo.
Për dallim prej Kurtit, këtyre deklaratave iu përgjigj numri dy i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Ai tha se Osmani po i përdor dy tema për ta kritikuar Vetëvendosjen: Serbinë dhe Amerikën, të cilat, sipas tij, janë të njëjta siç i ka përdorur Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ajo është dhoma e Brukselit, e negociatave ku natyrisht që rrihet me orë të tëra e ku janë të gjithë ndërkombëtarët. Por, çfarë është duke ndodh është dy tema po e shoh që është duke u munduar t’i përdor Osmani: Amerika dhe Serbia. Amerikën e përdor qysh e ka përdor PDK-ja dhe LDK-ja qeto 6 vjet. Po dojnë me e mbrojtë Amerikën prej Albin Kurtit, po mendojnë që Amerika është e rrezikume prej Albin Kurti, edhe këta paskan mbet më dal edhe me mbrojtë se është shumë e rrezikuar. Edhe e dyta me e frikësu popullin me Serbinë”, tha Konjufca në Debat Plus.
Ai theksoi se rruga e Osmanit për ta goditur Kurtin, nuk do t’i funksionojë për të marrë besimin e qytetarëve.









