Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen, me të cilin ka biseduar, ndër të tjera, për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ata kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.
“Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe të ecë përpara në procesin e integrimit euroatlantik. U diskutuan edhe tema të tjera me interes të përbashkët, si dhe u riafirmua përkushtimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit”, njoftojnë nga presidenca.
Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar të martën me emisarin norvegjez. Ata kanë folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë.