Në një rrëfim për periudhën para nisjes së tij në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi ka përshkruar në detaje lëvizjet dhe takimet e fundit në Kosovë, duke nisur nga momenti kur u njoftua për zhvillimet që do të ndryshonin rrjedhën e jetës së tij politike dhe personale.

Sipas rrëfimit në Opinion të TV KLAN-it, gjithçka kishte filluar më 4 nëntor 2020, kur në Presidencë u informua për kontaktet dhe zhvillimet nga autoritetet ndërkombëtare, ndërsa paralelisht po vazhdonin veprimet e Gjykatës Speciale.

“Më informuan se më 26 tetor është konfirmuar aktakuzë kundër jush… filluan të lexonin të drejtat e mia. I ndërpreva. I pyeta kur duhet të nisem; më thanë ‘nesër ora 11:00’… me kërkesën time u shty për pak kohë”, ka rrëfyer ai.

Ai tregon se pas këtij momenti vendosi të mos e bëjë publike situatën menjëherë, duke vazhduar ditën me takime dhe angazhime personale, përfshirë edhe vizitën tek familja dhe një vizitë tek dentisti.

“Vendosa ta kursej familjen dhe opinionin të paktën edhe për atë mbrëmje”, ka thënë ai, duke përshkruar një mbrëmje të qetë familjare, ku sipas tij nuk u diskutua drejtpërdrejt ajo që do të ndodhte më pas.

Në rrëfim përmendet edhe takimi emocional me prindërit, të cilët, siç thotë ai, po ndiqnin me shqetësim zhvillimet politike dhe bastisjet e asaj dite.

“Jeta ime për ta ishte dashuri, ankth dhe krenari”, është shprehur ai.

Në vazhdim, Thaçi përshkruan edhe vizitën tek floktari, përgatitjet personale dhe bisedat me familjarët më të ngushtë, ku u dha lajmi se do të udhëtonte për në Hagë.

“Më 5 nëntor 2020, në mëngjes i tregova Lumes dhe Endritit; i thirra edhe prindërit e iu thashë: ‘po thonë që edhe unë duhet të shkoj në Hagë’”, thuhet në rrëfim.

Ai thekson se në atë ditë ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorë të vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësues të BE-së, të cilët, sipas tij, shprehën keqardhje dhe vlerësim për mënyrën e përballjes me drejtësinë.

Në fund të ditës, ai mbajti edhe një konferencë për media me mesazhin: “JO LAMTUMIRË, POR MIRUPAFSHIM”, duke përshkruar më pas edhe momentet emocionale të ndarjes me bashkëpunëtorët dhe familjen.

“Tek sovrani isha fitues; ky fakt më bënte të ndihem mirë”, përfundon rrëfimin e tij për ditët e fundit në Kosovë para nisjes për në Hagë.