Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryediplomatja Donika Gërvalla, është takuar në New York me Ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi, të cilin e ka ftuar për vizitë në Kosovë.
Kosova dhe Omani nuk kanë raporte formale diplomatike, por, sic thuhet në njoftimin e kryeministrisë, “kanë raporte konstruktive”.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Omanit ndaj vendit tonë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai e njoftoi për progresin ekonomik e demokratik në Kosovë dhe për mundësitë që ofron për investitorë të huaj”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se Kurti është shprehur i bindur në potencialin dhe përfitimet dypalëshe në fusha si, partneriteti ekonomik e tregtar, bashkëpunimi kulturor e artistik, arsimi e turizmi.
“Kryeministri ftoi ministrin Al Busaidi, bashkë me një delegacion të nivelit të lartë, për vizitë zyrtare në Kosovë, për të parë e për të hulumtuar mundësitë e reja të bashkëpunimit, që do të thellonin mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, potencohet në njoftim.
Kurti është duke qëndruar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Javës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).









