Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku kanë diskutuar për vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilin e kanë konsideruar njëzëri të padrejtë.

Kurti e Hamza kanë thënë se presin ndryshime pozitive në Apel.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti e Hamza kanë ndarë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se “cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm”.

“Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar”, potencohet aty.

Në njoftim theksohet se rezistenca e popullit të Kosovës dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi.

“UÇK ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviç-it, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”, potencohet aty.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar të dielën e 16 shtatorit me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.