Pas raportimit të VOX Kosova, ku u publikuan komunikime të brendshme të Policisë së Kosovës, përmes të cilave zyrtarëve policorë u kërkohej t’ua huazonin kapelat e tyre kadetëve të gjeneratës së 63-të deri në diplomim, ka reaguar edhe Ramadani.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar largimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e akuzuar për dëmtimin e Policisë së Kosovës.
“Ministri Sfeçla duhet të ecë n’shpi, boll u dëmtua Policia!”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka renditur një varg problemesh me të cilat, sipas tij, përballen zyrtarët policorë, duke përmendur mungesën e kapelave, gomave të dimrit për veturat zyrtare, uniformave dhe pajisjeve bazike.
“As kapele nuk janë në gjendje t’i sigurojnë, as gomat e dimrit për veturat e Policisë, as uniforma të mjaftueshme, as pajisjet bazike për policët”, ka shkruar ai.
Ramadani ka kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të pagave shtesë, duke thënë se zyrtarët policorë nuk i marrin ato pa e paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme në gjykatë.
Ai ka përmendur gjithashtu mungesën e sigurimit shëndetësor, transportit të organizuar dhe shujtave për policët.
Sipas Ramadanit, problemet nuk kufizohen vetëm te kushtet e punës, por edhe te organizimi dhe funksionimi i institucionit.
“Policia s’ka pasur proces gradimi që gati 10 vjet, nuk ka pasur rritje të duhur buxhetore për operativën, nuk ka autonomi operacionale”, ka shkruar ai.
Në fund, Ramadani ka vlerësuar se Sveçla nuk është kompetent për këtë fushë dhe se gjatë qeverisjes së tij është dëmtuar autonomia operacionale e Policisë së Kosovës.









