Kush e shkelë ligjin është kriminel.

Kush e shkelë Kushtetutën është super kriminel.

E këtë epitet Qeveria e partia e Albin Kurtit e ka marrë plot 16 herë që nga dita kur erdhi në pushtet.

Pra në mënyrë të përsëritur ekzekutivi e ka përdhosur Kushtetutën përmes vendimeve të qeverisë, ligjeve të miratuara apo veprimeve të shumicës parlamentare që është Vetëvendosja.

Këtyre recidivistëve të shkeljes së kushtetutës, për herë të fundit ky akt super kriminal iu vërtetua më 9 janar të këtij viti.

Kushtetuesja ua rrëzoi plot 13 ligje, të shtyra me shpejtësi, duke shkelur kështu procedurën parlamentare më 5 dhjetor të 2024-tës.

Veçmas këtyre ligjeve, me një aktgjykim të ndarë, u rrëzua edhe ligji me të cilin kishin bërë betimin politik, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Asnjë befasi, Ligjin për Byronë, Kushtetuesja ua rrëzoi edhe në 2024-tën.

Siç duket nuk shkruajnë dot ligje në frymë të Kushtetutës.

Kushtetutën e shkelën edhe në vitin e bllokadës të pashembullt, me tendencat për Votim të Fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të 29 qershorit 2025.

Në tendencë për të kontrolluar mediat, ata e shkelën sërish Kushtetutën me Ligjin për Komisionin e pavarur të mediave.

Kushtetutën e shkelin sidomos kur kanë të bëjnë me institucione të pavarura, pasi të njëjtën e bënë me Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, më 27 qershor të 2024-tës.

Po atë vit, antikushtetues doli edhe shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP-së.

Edhe Ligjin fort të rëndësishëm, ata për paga në sektorin publik ua rrëzoi Kushtetuesja.

Gjithashtu, ndërhyrja në tregun e lirë dështoi, Ligji për çmimet tavan u rrëzua më 24 nëntor 2023.

Kurse tre muaj më herët të të njëjtit vit Kushtetuesja ua stopoi Ligjin për Zyrtarët Publikë, që rrezikonte politizimin e administratës shtetërore.

Kushtetutën e shkelën edhe kur i futën duart në RTK, kur dëshmua se shkarkimi i Bordit të RTK-së s’kishte bazë ligjore.

Më 24 mars të 2023-tes u konfirmua shkelje të tjera, këtë herë në sistemin e drejtësisë, me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Edhe më 8 prill të 2022-tës të njëjtit e kishin shkelur Kushtetutën me ndërhyrjen e MASHT-it në Komunën e Kamenicës për riorganizimin e shkollave, duke tejkaluar kompetencat. 

Kushtetuesja ua hodhi poshtë edhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sepse cenonte pavarësinë e Këshillit.

Por, këta shkeljet e Kushtetutës i kishin nisur herët, pothuajse bashkë me qeverisjen.

Qysh në fillim të mandatit u rrëzuan ora policore gjatë pandemisë dhe shpallja e Prizrenit zonë karantinë,  të dyja pa bazë ligjore.

Dhe kështu rrumbullaksohen plot 16 shkelje të Kushtetutës që Lëvizja Vetëvendosje i bëri për veç 5 vjet në pushtet.

Nuk i dihet në sa do të shkojë ky numër, kur në rafte të kësaj gjykata akoma ndodhen ligje të tjera që pritet të marrin vendim final.

Por çka dihet është se definitivisht Kushtetuta nuk është manuali i tyre. Iu pengon. I bezdisë dhe s’e duan. Përveç në raste të rralla kur i njëjti institucion, iu jep këtyre të drejtë.