Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po i bëjnë presion Ukrainës që të “dorëzohet” sipas kushteve të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Negociatorët amerikanë janë përpjekur ta shtyjnë Ukrainën drejt dorëzimit tashmë prej gati dy vjetësh, prej një viti e gjysmë”, tha Kallas të martën në Parlamentin Evropian, raporton Euronews.

Arsyeja pse Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putin-it, sipas Kallas “është se Evropa e ka mbështetur Ukrainën”.

Kallas argumentoi gjithashtu se prania e Evropës në tryezën e negociatave është e domosdoshme për të “balancuar” qëndrimet e përkrahura nga Shtëpia e Bardhë.

Ajo ngriti alarmin për zhvillimet e fundit gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku disa eurodeputetë u ankuan se Evropës i mungon një strategji për paqen.

“Kjo nuk është e vërtetë”, tha Kallas, duke iu referuar një dokumenti që ua kishte paraqitur kryeqyteteve të vendeve të BE-së, ku renditeshin kërkesat që Evropa duhet të presë që Moska t’i përmbushë në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme.

“Nëse Rusia paraqet kërkesa dhe pretendime maksimaliste, ne duhet t’i vendosim në tryezë kërkesat tona maksimale, për t’i balancuar këto negociata dhe gjithashtu për t’i dërguar Rusisë një mesazh të qartë se, për të gjitha ato çështje që i interesojnë asaj – përfshirë heqjen e sanksioneve – Evropa duhet të jetë e pranishme në atë tryezë, sepse këto janë vendime evropiane”.

“Ne nuk do të heqim dorë nga këto gjëra falas, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për arritjen e paqes, por edhe për të siguruar që kjo paqe të jetë e qëndrueshme dhe e drejtë”, shtoi ajo.

Kallas e akuzoi Rusinë se po rrezikon sigurinë në Detin e Zi përmes bllokadës së saj ushtarake, se po e përdor furnizimin me ushqime si armë dhe se po përpiqet të shkaktojë një zi buke në shkallë globale.

Kryediplomatja evropiane kritikoi gjithashtu Moskën për refuzimin e një armëpushimi në sektorin energjetik dhe për intensifikimin e fushatës së bombardimeve kundër Ukrainës, përpara sezonit të dimrit.

“Ukraina dëshiron paqe më shumë se kushdo tjetër, sepse është bombarduar tashmë prej katër vjetësh dhe tani ka hyrë në vitin e pestë”, tha ajo.

“Edhe Evropa dëshiron paqe. Nuk është e drejtë të thuhet se ne nuk duam paqe. E vetmja palë që nuk dëshiron paqe është Rusia. Le t’i shohim gjërat me sy hapur”.

Këto deklarata të Kallas vijnë pas takimit që Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pati me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, në Oslo të Norvegjisë të martën.

Witkoff raportohet se të mërkurën ka mbërritur në Rusi, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në përpjekjet për të arritur fundin e luftës në Ukrainë.