Në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit të vitit 2023, Kosova u përball me një nga sulmet më të paprecedenta terroriste.

Në Banjskë të Zveçanit, një grup personash të armatosur kishte zbarkuar në manastirin e këtij fshati, i cili në atë kohë ishte mjaft i panjohur.

Një pritë në formë barrikade, me dy kamionë, ishte vendosur në udhëkryqin e fshatit, ku, si reagues të parë, Afrim Bunjaku me shokë u përball me eksplozivin e vendosur në kamion.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Bunjaku, u vra aty.

Afrim Bunjaku, Fotografia: Euronews

Pas kësaj, në mes grupit terrorist, të armatosur rëndë e të prirë nga Milan Radoiçiç, u konfrontuan Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, nga orët e hershme të mëngjesit deri në orën 15:00.

Ky rast ishte konsideruar si një nga sukseset e Policisë, pasi që kishin arritur të mos lëndonin qytetarë civilë e as të dëmtonin monumentet fetare aty.

Gjithsesi, nga kjo përballje me armë zjarri mbetën të neutralizuar tre terroristë të komunitetit serb, disa u arrestuan, e shumica ikën nëpër rrugët ilegale të veriut, për të përfunduar në Serbi.

Grupi i armatosur duke ikur nëpër rrugët ilegale të veriut.

I gjithë shteti, përfshirë institucionet e sigurisë, këtë e cilësuan akt terrorist mbi Republikën e Kosovës dhe tentim për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës nga shteti serb.

Njëjtë e vlerësoi edhe Prokuroria Speciale, e cila ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Një dëshmitar i mbrojtur, sipas aktakuzës, kishte rrëfyer se armatimin e kanë marrë në Serbi dhe se atë e ka siguruar Radoiçiç, “me lidhje të forta përmes shtetit të Serbisë”, madje e përmend tërthorazi edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Tre nga të ndaluarit nga Policia e Kosovës u përballën edhe me procesin gjyqësor.

Në prill të këtij viti, Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Toliç u dënuan nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviç u dënua me burgim prej 30 vitesh për përfshirje në sulmin terrorist.