Është refuzuar kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodrali nga rasti i shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Lajmin e ka konfirmuar për VOX Kosova Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, tha Luta.

Më 9 dhjetor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, të cilët i akuzon për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerje të veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.

“Prokuroria Speciale, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe me partnerë evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V. dhe I.D. për veprat penale ‘Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike’ nga neni 122, në lidhje me veprën penale ‘Kryerja e veprës terroriste’, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Spiunazh’”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në një pjesë të kanalit “Ibër Lepenc”, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit trinitrotoluen (TNT) në brendësi të kanalit.

“J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, si pasojë e së cilës është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit ‘Ibër Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’ i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhej më tej.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V. kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”.

Dy të pandehurit akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje, së bashku me të pandehurin tjetër, I.D. Ndërsa, i pandehuri J.V. akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri J.V., deri në momentin e arrestimit, “në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara, me qëllim që t’i përdorte ato gjatë veprimtarisë së tij të kundërligjshme në territorin e Kosovës”.