Seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit që është paraparë të zhvillohej të hënën ka dështuar.

Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës e cila bëri të ditur se arsyeja e anulimit është se Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk është e mundur të realizohet lidhja me video-konferencë për sot.

“Përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se Autoritet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se me caktimin e datave të radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave.

Aktakuza fajëson të akuzuarit se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë bërë përpjekje ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.