Në fjalën e tij fillestare në nisje të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, sulmoi – pa ia përmendur emrat – dy eksponentë të lartë të LDK-së, Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin, vetëm e vetëm për faktin se të njëjtët i kërkuan dorëheqjen atij pas rezultatit të dobët në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

“Pati edhe zëra brenda LDK-së, që kërkuan dorëheqjen time, zëra që më vonë shfaqën dhe ambicie të hapura publike me plotë të drejtë legjitime”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku, i cili do të votëbesohet sot nga delegatët e LDK-së nëse do të qëndrojë akoma apo jo si Kryetar i partisë, tha se kërkesa për dorëheqje ka pasur një evoluim, sipas tij, të çuditshëm, pasi që thekson se fillimisht iu kërkua pastaj iu kthye gjoja në ultimatum.

“Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash. Por kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. ‘Ik, lësho vend’, mu tha. Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend”.

“Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë më”, shtoi ai ndër të tjera.