Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka dhënë shenja se do të jap dorëheqje – edhe pse e kishte paralajmëruar – pas rezultatit katastrofik në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Madje, ai ka goditur të gjithë ata që e kanë kritikuar LDK-në pas rezultatit të dobët, duke thënë se fati i LDK-së vendoset në organet e partisë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka falënderuar fillimisht të gjithë ata që e kanë votuar LDK-në, duke shtuar se partia që ai udhëheqë e asnjë individ “nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin”.
“Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta”, shkroi Abdixhiku.
“Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara”, shtoi.
Kjo, potencoi ai, “është mënyra jonë”. “Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme”.
“Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj”.
Abdixhiku potencoi se LDK është “më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë”.
“Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, potencoi ai ndër të tjera.
Të gjitha votat për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë numëruara. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind të votave.
VV-ja ka grumbulluar 486 mijë e 994 vota – më së shumti në histori. Me këto vota dhe përqindje, do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind, apo 192 mijë e 407 vota. Në Kuvend, PDK do t’i ketë 22 ulëse.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.23 për qind, apo 126 mijë e 102 vota. Në Kuvend, LDK-ja do t’i ketë 15 deputetë.
E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.5 për qind, apo 52 mijë e 370 vota. Në Kuvend AAK-ja do t’i ketë vetëm 6 deputetë.
9 deputetë në legjislaturën e re do t’i ketë Lista Serbe. Nga radhët e komunitetit jo shumicë serb, ulëse ka siguruar edhe Nenad Rashiç.
10 ulëset e tjera do të ndahen mes përfaqësuesve të partive të komuniteteve jo shumicë jo serbe.









