Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se asnjë parti apo komunitet nuk mund ta ketë të drejtën e vetos për bllokimin e shtetit.
Këto komente, Haxhiu i ka bërë në një konferencë për media, ku njoftoi se VV-ja i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet në lidhje me ankesën e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit.
“Shteti ynë është shtet unitar, dhe jo shtet multietnik. Ky model është rregullator i republikës tonë demokratike. Në shtetin tonë të shpallur të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik, nuk e ka të drejtën e vetos mbi organet tona që konstituojnë Republikën”, deklaroi Haxhiu.
Derisa njoftoi se partia ku bënë pjesë ajo ka kërkuar që të mos pranohet kërkesa e Listës Serbe, ajo potencoi se Kushtetuesja “nuk e ka këtë kompetencë që të gërmojë në themelet e Kushtetutës, që ta ndryshojë apo shtojë diçka”.
“Kosova është shtet sovran i pavarur. Funksionimi i institucioneve është kusht i domosdoshëm. Asnjë parti, as parti e komuniteteve nuk mund të pengojnë apo bllokojnë institucionet shtetërore. Sidomos për qëllime politike. Është e papranueshme që Lista Serbe, që nuk e njeh Kosovën, të përdorë vendet e rezervuara, si mjet për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”.
Kjo, vazhdoi Haxhiu, “përbën kërcënim për stabilitetin institucional”.
“Përfaqësimi i komuniteteve nuk duhet të shndërrohet në mjet bllokade. Andaj institucionet, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, kanë përgjegjësi të sigurojnë që asnjë parti, sidomos te Lista Serbe që nuk e njeh Kosovën, assesi nuk duhet të ketë mundësi të pengojë proceset demokratike”, shtoi.
E pyetur se a do ta votonin ndonjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar në qoftë se Kushtetuesja vendos që votimi për nënkryetarët e pakicave jo shumicë duhet të bëhet në pako, ajo ka mohuar një gjë të tillë.
“Asnjërin nga deputetët e Listës Serbe nuk do ta votojmë. Lista Serbe as nuk është dashur fare që të certifikohej. Ne edhe aso kohe e kemi kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe”, tha ajo në një konferencë për media të mërkurën, ku njoftoi për komentet që kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese .
Haxhiu deklaroi se “nuk ka Gjykatë që mund t’i thotë një partie politike, patjetër duhet të votosh për këtë person”. “Nuk mundet”, insistoi ajo.