Një burrë nga Kalifornia është akuzuar për tentativë vrasjeje të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pasi dyshohet se u përpoq të depërtonte me armë në një event gala të shtunën mbrëma, shkruan BBC.
Cole Tomas Allen, 31 vjeç, u akuzua gjithashtu për dy vepra penale që lidhen me armët e zjarrit, kur u paraqit në gjykatë në Washington DC të hënën.
Sipas prokurorëve, ai mbante një pistoletë gjysmë-automatike, një pushkë me pompë dhe tre thika, ndërsa kaloi me forcë një pikë kontrolli sigurie në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Incidenti ka nxitur një rishikim të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.
Një agjent i Shërbimit Sekret u qëllua. I akuzuari do të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.
I veshur me një uniformë blu, i dyshuari u duk i qetë gjatë paraqitjes në gjykatë të hënën në kryeqytet.
Ai foli me zë të ulët dhe iu përgjigj pothuajse çdo pyetjeje të gjykatësit me “po, i nderuar gjykatës” ose “jo, i nderuar gjykatës”.
Ai deklaroi moshën e tij dhe tha se kishte një diplomë master.
Tre marshallë amerikanë qëndronin pas tij dhe një tjetër pranë tij, ndërsa prokurorja federale që trajton rastin, Jeanine Pirro, e vëzhgonte.
Gjatë incidentit të së shtunës mbrëma, Trump, zëvendëspresidenti JD Vance, anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë u larguan me nxitim nga salla e hotelit Washington Hilton pasi u dëgjuan të shtëna.
I dyshuari dyshohet se kaloi me shpejtësi një pikë kontrolli sigurie një kat mbi ambientin ku zhvillohej eventi.
“Një oficer i Shërbimit Sekret u qëllua në gjoks, por mbante jelek antiplumb që funksionoi”, tha të hënën në një konferencë për shtyp Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche.
“Ky oficer heroik që u godit qëlloi pesë herë ndaj Allen, i cili nuk u qëllua, por ra në tokë dhe u arrestua menjëherë”.
Blanche tha se i dyshuari besohet se ka qëlluar të paktën një herë me pushkën e tij.
Nuk është e qartë nëse agjenti i Shërbimit Sekret u qëllua nga i dyshuari apo u kap në zjarr të kryqëzuar nga forcat e tjera të rendit. Agjenti është liruar nga spitali.
Tentativa për të vrarë presidentin mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Akuzat e tjera – transportim i armëve ndërmjet shteteve për të kryer një krim dhe përdorim i armës në një krim të dhunshëm – secila parashikon dënim maksimal prej 10 vjetësh. I dyshuari pritet të dalë sërish para gjykatës të enjten.
Gjykata dëgjoi se i akuzuari kishte kaluar nëpër disa shtete për të tentuar të vriste Trumpin.
Ai u largua nga shtëpia e tij në Torrance, në zonën e Los Angeles, më 21 prill dhe udhëtoi me tren drejt Chicagos, sipas autoriteteve amerikane, thekson tutje BBC.
Më 24 prill, ai u largua nga Chicago dhe mbërriti në Washington, ku u regjistrua në hotelin Hilton një natë para eventit.
I dyshuari kishte studiuar në Institutin prestigjioz të Teknologjisë në Kaliforni dhe frekuentonte një kishë në zonën e Los Angeles.
Regjistrat federalë të financimit të fushatave tregojnë se ai kishte dhuruar 25 dollarë për një komitet politik në mbështetje të Kamala Harris për presidente në vitin 2024.
Sipas një deklarate nën betim, i akuzuari kishte dërguar një email familjes pak para sulmit, ku shkruante: “Zyrtarët e administratës janë objektiva, të renditura nga më të lartët te më të ulëtit”.
“Do të kaloja nëpër shumicën e njerëzve këtu për të arritur te objektivat, nëse do të ishte absolutisht e nevojshme”, thuhet se ka shtuar ai.
Ai është mbajtur në paraburgim dhe prokurorët thanë se mund të ngrihen edhe akuza të tjera.
Burime të zbatimit të ligjit thanë për CBS se i akuzuari nuk po bashkëpunon me hetuesit.
Ndërsa autoritetet amerikane hetojnë këtë tentativë të tretë të dyshuar për atentat ndaj Trump, zyrtarët e sigurisë po rishikojnë protokollet e mbrojtjes së Presidentit.
Shumë kanë ngritur pyetje nëse perimetri i sigurisë në Washington Hilton ishte mjaftueshëm i fortë, pse pjesëmarrësve nuk iu kërkua identifikim dhe pse presidenti, zëvendëspresidenti dhe figura të tjera të rëndësishme ndodheshin në të njëjtin vend.
Në konferencën për shtyp të së hënës, prokurori i përgjithshëm në detyrë këmbënguli se “forcat e rendit nuk kanë dështuar” në mbrojtjen e eventit.
Ai theksoi se sulmuesi ishte një kat larg, “me qindra agjentë federalë mes tij dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Hoteli Washington Hilton, ku John Hinckley Jr kishte tentuar të vriste presidentin Ronald Reagan 45 vite më parë, tha se kishte ndjekur udhëzimet e sigurisë nga Shërbimi Sekret.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha për BBC se Trump mbështet udhëheqjen e Shërbimit Sekret.
Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, do të thërrasë një takim këtë javë për të diskutuar protokollet dhe praktikat për evente të mëdha.
Trump ka siguruar gjithashtu se Mbreti Charles III do të jetë “shumë i sigurt” gjatë vizitës së tij shtetërore katërditore në SHBA, e cila nisi të hënën në Shtëpinë e Bardhë.









