Kosova ka dënuar sulmin me të shtëna në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në mbrëmjen e 25 prillit, ku prezent ishte edhe Presidenti amerikan, Donald Trump.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se dhuna politike nuk ka vend në demokraci.
“I dënoj të shtënat në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë dhe i uroj shërim të shpejtë oficerit të plagosur. Jam i lehtësuar që të gjithë të pranishmit janë të sigurt”, shkroi Konjufca në platformën X.
Edhe ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kësaj ngjarje, duke shprehur mirënjohje për guximin e agjentëve të Shërbimit Sekret të SHBA-së, të cilët tha se vepruan shpejt dhe me heroizëm për ta mbrojtur Presidentin Trump.
“Jemi mirënjohës për guximin e agjentëve të Shërbimit Sekret të SHBA-së, të cilët vepruan shpejt dhe me heroizëm për të mbrojtur Presidentin dhe të gjithë të pranishmit. Guximi i tyre ndihmoi në parandalimin e një tragjedie kombëtare. Shtetet e Bashkuara mbeten mbrojtësi më i madh i lirisë dhe demokracisë. Asnjë akt dhune nuk do ta dobësojë kurrë këtë”, shkroi Osmani në X.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se nuk duhet të ketë aspak tolerancë për sulme të dhunshme ndaj institucioneve demokratike apo shtypit të lirë.
“Jemi të shqetësuar nga ngjarja në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Nuk duhet të ketë aspak tolerancë për sulme të dhunshme ndaj institucioneve demokratike apo shtypit të lirë. Të paktën, është qetësuese që Presidenti, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit nuk janë dëmtuar”, shkroi Hamza në X.
Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se reagimi i institucioneve të sigurisë së Amerikës i ka bërë krenarë dhe se Kosova qëndron përherë krah SHBA-së.
“Reagimi i institucioneve të sigurisë të Amerikës, na bëri krenarë dje. Edhe një sulmues u mposht, ashtu siç do të mposhten çdo herë. Kosova qëndron përherë krah institucioneve të sigurisë së Amerikës dhe popullit amerikan”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Pas të shtënave, agjentët e shërbimit sekret amerikan e larguan me shpejtësi Presidentin Trump dhe zëvendëspresidentin J.D Vance. Në vendngjarje, forcat e rendit u futën me armë në duar.
Më pas u konfirmua se një i dyshuar është arrestuar, të cilin Trump e identifikoi si një burrë 31 vjeç nga Kalifornia, që besohet të ketë vepruar i vetëm.









