Dejan Pantiç-it i është zbutur dënimi nga 2 në 1 vit burgim nga Gjykata Apelit në lidhje me akuzën për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Nga ana tjetër, Apeli, siç raporton Betimi për Drejtësi, ka vërtetuar pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Milun Milenkoviç dhe Aleksandër Vllajiç ishin dënuar me 5 vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiç u lirua nga akuza.
Themelorja në Prishtinë, më 28 korrik të vitit 2025, kishte shpallur aktgjykimin dënues ndaj Pantiç-it, Milenkoviç-it dhe Vlajiç-it.
Pantiç, që ka shërbyer më herët edhe si polic i Kosovës, ishte dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “huliganizëm”, Milenkoviç dhe Vllajiç me 5 vjet për veprën penale “terrorizëm”, ndërsa Vakiç ishte liruar.
Sipas dosjes së organit të akuzës, më 6 dhjetor 2022, u krye sulmi terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut. Për bartjen e granatave të dorës ishte përdorur një autoambulancë.
Pantiç ishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë më 10 dhjetor 2022. Arrestimi i tij kishte nxitur reagime të shumta nga serbët lokalë dhe nga shteti serb. Madje, ishin vendosur edhe barrikada.









