Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Ljubisha Milkoviçit, i cili akuzohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
“I pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës, kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, nga dhuna e ushtruar, është raportuar për dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Më 2023, në katër komuna në Veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët ishin cak i disa sulmeve dhe dhunës, teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të komunave.
Tensionet shpërthyen pasi kryetarët e rinj tentuan të hynin në objektet komunale, ndërsa udhëheqësit serbë lokalë, të cilët paraprakisht kishin dhënë dorëheqje, së bashku me partitë serbe, kishin bojkotuar zgjedhjet.









