Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër akuzat e Presidentes Vjosa Osmani, ndaj “disa gazetarëve”, të cilët i akuzoi për “grusht-shteti” dhe lidhje me kryekriminelin serb Milan Radojiçiç.
“AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akzuat “për disa gazetarë”, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës”.
AGK-ja ka ftuar organet e sigurisë të deklarohen për këto akuza kaq të rënda, “që shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut”.
“AGK-ja e fton sërish Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dhe të luajë rolin e saj kushtetues që garanton lirinë e medias dhe shprehjes”.









