Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj gazetarëve. AGK ka shkruar se kjo gjuhë paraqet rrezik për sulme të mundshme ndaj gazetarëve në të ardhmen.
Madje, AGK ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga KQZ.
“Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend. AGK e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, ka shkruar AGK.
“Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në ‘Aleancë e Grupeve Kriminale’ dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si ‘vrasës me pagesë’. Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren”, thuhet në reagim.
Por, që nga dje, Presidentja Osmani – e cila shpesh thirret në vlera të lirisë dhe demokracisë – nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me gjuhën e përdorur nga Kurteshi. Natyrisht, një gjë të tillë nuk e ka bërë as Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
Sami Kurteshi, që para dy ditësh u nervozua fort me gazetarët në KQZ dhe iu drejtua atyre me bërtima, duke kërkuar largimin nga salla e mbledhjeve, më pas listoi disa media, përfshirë edhe Vox Kosova, duke i quajtur ato “vrasës me pagesë”.









