Blerim Isusfajt, Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, i sulmuar vazhdimisht nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosjes, së fundmi edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i kanë shkuar në zyrë të tij të premten për ta takuar përfaqësuesit e misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në Kosovë.
Te Isufaj, fillimisht ka shkuar ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves. Në njoftimin e Sistemit Prokurorial thuhet se diplomati britanik e ka përgëzuar Kryeprokurorin për punën e institucionit që ai e udhëheqë.
“Ambasadori britanik e përgëzoi Prokurorisë Speciale për punën e saj, dhe riafirmoi mbështetjen dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Mbështetjen dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, me autoritetet e Britanisë së Madhe, e theksoi edhe sufaj si një nga partnerët kryesorë institucional të Prokurorisë Speciale”, thuhet aty.

Pak orë më vonë, Isufaj priti në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për punën e Prokurorisë Speciale dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
“Prokuroria Speciale e ka falënderuar znj. Prattipati dhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen e dhënë në hetimet e suksesshme kundër organizatave kriminale që merren me krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional”, theksohet aty.
PRSK-ja i ka shprehur edhe mirënjohje ambasadës së SHBA-ve “për mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen e plotë të pavarësisë së Prokurorisë Speciale dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi”.

Isufaj është prokurori që është sulmuar me emër dhe mbiemër nga pushteti i Vetëvendosjes dhe vetë Kryeministri Albin Kurti.
Më së fundi, Kurti e sulmoi Isufajn më 31 maj të këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai theksonte se Isufaj nuk duhet të bëhet Kryeprokuror, madje aludonte se dikush po e shtynë që të insistojë për ta marrë këtë pozitë.
“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojicicin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”, thoshte Kurti në një intervistë në emisionin Politiko në Kanal 10.
Madje, sipas Kurtit edhe vetë Isufaj “e di që nuk bën” të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.
“Është shumë interesant që po insiston. Kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq irracional saqë pavarësisht që tre krerët shtetërorë, publikisht janë deklaruar kundër tij, ai insiston të bëhet kryeprokuror. Thellësisht nuk është në rregull”, potencoi ai ndër të tjera.
Isufaj ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit në vitin 2022, por ai nuk ishte dekretuar nga Presidentja e atëhershmem, Vjosa Osmani, duke e lënë vendin kështu për disa vjet me Ushtrues të Detyrës të Kryeprokurorit.
Kur Albulena Haxhiu mori pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes kërkoi proces të ri për Kryeprokurorin e Shtetit.
Pas kësaj kërkese, KPK-ja shpalli konkurs të ri më 18 maj 2026. Por, pas këtij veprimi, Isufaj e paditi KPK-në, duke kërkuar që të anulohet vendimi i tyre.
Megjithatë, përkundër padisë së Isufajt, KPK-ja vazhdoi me procedurat për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Ata e vlerësuan me më së shumti pikë Zejnullah Gashin, i cili menjëherë mori bekimin e Haxhiut me dekret.









