Albert Kastrati ka rrëfyer detaje nga sulmi që dyshohet që ndodhi sot në familjen e tij në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku si pasojë e sulmit me thikë ka mbetur e plagosur nëna e tij 76-vjeçare.

Sipas Kastratit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30-11:00, kur i dyshuari kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe dyshohet se kishte tentuar të sulmonte djalin e tij të moshës 3 vjeç e 8 muaj.

“Na ka ndodhur një rast që nuk e kemi pritur. Ka hyrë në shtëpi dhe ka dashur ta sulmojë djalin tim. Aty kanë qëlluar nëna dhe gruaja. Kur ka hyrë nëna, ai e ka goditur me thikë në sy”, ka deklaruar Kastrati.

Sipas tij, njësitet policore kanë reaguar shpejt dhe e kanë arrestuar të dyshuarin në vendin e ngjarjes.

Kastrati tha se familja e tij e njeh të dyshuarin, të identifikuar si Ernes Gjakova, por mohoi të ketë pasur ndonjë konflikt me të.

“Atij ia njoh nënën, ia njoh vëllain dhe ia kam njohur edhe babanë. Këtë djalë nuk e kam parë prej rreth 15 vitesh. Me familjen e tij kemi pasur marrëdhënie të mira dhe nuk ka pasur asnjë arsye për këtë sulm”, deklaroi ai.

Ai shtoi se i dyshuari nuk kishte dhënë ndonjë shpjegim logjik për veprimet e tij.

“Nuk kishte arsyetim. Vetëm i thoshte nënës sime 76-vjeçare se ishte ‘vrasëse’”, tregoi Kastrati.