Ministrja në detyrë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, duke folur për aferën e rezervave shtetërore, për çka iu ngrit aktakuzë, ka sulmuar Prokurorinë Speciale për gjoja “tendencë politike” ndaj Qeverisë Kurti.
“Çdo pretendim i prokurorisë që vendimi është i kundërligjshëm nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media të premten.
Përveç se sulmoi Prokurorinë në tërësi, ajo u ndal speciufikisht te Prokurori Valdet Gashi, i cili, pretendon ajo, ka mbledhur prova në mënyrë të paligjshme me dërgimin e hetuesve në MINT pa certifikatë të sigurisë.
“Provat e ashtuquajtura të Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtëligjshëm, përmes hetuesve të dërguar nga prokurori Valdet Gashi që ka dërguar policët hetues në Ministri, pa leje të sigurisë. Ata morën materialin brenda një orë në MINT”, shtoi ajo ndër të tjera.








