Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ankuar pse krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, “nuk kanë marrë avokatët mbrojtës të njëjtë”. Siç u shpreh ai në Kuvend, ky fakt paraqet vështirësi për Qeverinë e Kosovës, mirëpo pa arsyetuar pse ndodh një gjë e tillë. Këto deklarata, kryeministri i bëri pas pyetjeve parlamentare të drejtuara nga ana e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi.
“Me cfarë kemi mundur e kemi ditur nuk kemi pasur as rezervë dhe as s’jemi kursyer. Gjatë këtyre pesë viteve e gjysmë, gjithësej janë ndarë nga Republika e Kosovës mbi 37 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë. Pra nuk jemi kursyer për t’i mbrojtur me avokatët që janë përzgjedhur prej vetë atyre. Një vështirësi që e ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës është që të akuzuarit padrejtësisht në Hagë nuk i kanë pasur edhe avokatët mbrojtës të njëjtë. Ata kanë qenë ekipe të ndryshme të ndara që paraqet vështirësi për vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha i pari i Qeverisë.
“Kontributi më i madh që unë si kryeministër e kam dhënë për këtë çështje kur si deputet i Kuvendit, nuk i kam votuar ndryshimin kushtetues dhe as Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pra, as më datën 26 qershor, dhe as më datën 03 gusht 2015”, shtoi.
Megjithatë, Kurti nuk u përgjigj në pyetjen pasuese të deputetes Musliu – Shoshi, e cila kërkoi sqarime nga ai për faktin se “pse nuk po zhbëhet Gjykata Speciale?”.








