Gjashtë persona kanë mbetur të vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur në qytetin e Krakovit në Poloni.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, sulmi ndodhi të shtunën pasdite, kur një person i armatosur hapi zjarr në drejtim të njerëzve.
Policia polake ka njoftuar se i dyshuari është shtetas polak, i cili u plagos gjatë ndërhyrjes së policisë dhe më pas u arrestua. Ai dyshohet se kishte përdorur armë të tipit ushtarak.
Në veturën e tij, autoritetet kanë gjetur edhe armë të tjera dhe një sasi të madhe municioni.
Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se i dyshuari ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe kishte bindje ultranacionaliste.
Ndërkohë, kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur edhe tre persona të vdekur, dy gra dhe një burrë, të cilët dyshohet se janë familjarë të tij. Rrethanat e vdekjes së tyre po hetohen.
Një tjetër zhvillim i bërë i ditur gjatë konferencës për media të Tuskut ishte shpallja e zisë kombëtare. Kryeministri njoftoi se ajo do të zgjasë dy ditët e ardhshme, raporton Sky News.
Ky vendim vjen pasi edhe qyteti i Krakovit, ku ndodhi sulmi, kishte shpallur më herët një periudhë zie.
Ndërkohë, autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.









