Kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev të Ukrainës, është goditur nga një sulm me raketa balistike dhe dronë të nisur nga Rusia.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Ai theksoi se kjo ngjarje e ka vënë në rrezik jetën e ambasadorit shqiptar, duke e konsideruar këtë sulm si të papranueshëm.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!”, shkroi Hoxha në X.

“Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë”, shtoi ai.

“Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia”, thotë ai, “ka zgjatur shumë gjatë”. “Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas”.

“Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim”.

Ai ka përsëritur thirrjen ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.

Shqipëria, siç thotë ai, “do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës”.

Bëhet me dije se Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime.