Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë në opozitë. Ky është qëndrimi që Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka shpalosur në takimin që pati këtë të premte me të parin e Vetëvendosjes, Albin Kurti e të cilin e bëri publik edhe para gazetarëve.

“Kemi thanë që Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Është e hapur për të biseduar pa u impnuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Bazuar në diskutimet që i kemi pasë, qëndrimi jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen të bisedojnë t’i jepin vendit institucione”, tha Hamza.

Hamza shtoi se partia e tij “do të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit” për çështje që janë me rëndësi për Kosovën, në këtë rast, votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Pas takimit me Hamzën, Kurti do të zhvillojë një takim tjetër edhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku pasditen e së premtes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në anën tjetër ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë.