Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Prokuroria e Gjykatës Speciale ka dashur që ta bastisë edhe zyrën e Presidencës së Kosovës, por, siç thekson ai, nuk është lejuar nga Presidentja Vjosa Osmani.
“Mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror për mua që edhe Presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini, sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar, sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit”, tha Rama në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Profesor Ahmet Shala.
Një gjë e tillë, Rama konsideron se do ta vendoste Kosovën “në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit”.
“Dhe kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe për nderin e Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, deklaroi ai ndër të tjera.








