Vetëm gati katër ditë zgjati Operacioni Stuhia në Kroaci, por shtetit iu deshën gati dy dekada për ta përballuar stuhinë që i erdhi nga Haga.

Ante Gotovina, Mladen Markac dhe Ivan Cermak u akuzuan për krime lufte nën doktrinën e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.

Të tre këta dikur udhëhoqën Kroacinë në luftën për pavarësi përballë regjimit të Millosheviqit, por në paqe ishte radha e shtetit t’ua ruante shpinën atyre.

Për Kroacinë, aktakuza dhe një dënim eventual e ndryshonin narrativën e luftës për liri dhe të vërtetën historike.

Arkivat e kohës, dokumentet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë dhe Ligji amerikan për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj dëshmojnë se, krahas dhjetëra milionëve të shpenzuara për mbrojtjen, shteti u fokusua drejtpërdrejt në proces dhe në lobimin diplomatik.

Në vitin 2006, kur gjeneralët kishin një aktakuzë dhe po prisnin nisjen e gjyqit, Qeveria kroate i kërkoi Akademisë së Shkencave një studim për konceptin e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe Operacionin Stuhia, për ta sfiduar narrativën e prokurorisë.

Të njëjtin, përmes një parashtrese, Kroacia e dërgoi në Tribunal, para panelit të shkallës së parë, duke synuar ta ndihmonte Tribunalin në interpretimin e rrethanave politike dhe faktike të asaj kohe.

Kjo kërkesë iu refuzua Kroacisë, por shteti nuk u dorëzua dhe dosjen ia dërgoi presidentit të Tribunalit, Patrick Robinson.

Në vitin 2011, Ante Gotovina dhe Mladen Markač u dënuan me 24 vjet burgim, Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale për Operacionin Stuhia u konfirmua dhe kjo e tronditi Kroacinë.

Shkalla e parë e gjykatës konsideroi se çdo predhë që kishte rënë më larg se 200 metra nga objektivi i synuar duhej të konsiderohej si sulm ndaj civilëve.

Kryeministrja kroate e asaj kohe, Jadranka Kosor, menjëherë pas verdiktit paralajmëroi një ofensivë të fortë diplomatike dhe juridike.

Përsëri, Kroacia bëri kërkesë që panelit të Apelit t’i dorëzonte një mocion për të prezantuar të vërtetën e operacionit, por sërish iu refuzua.

Në skenë më pas dolën një ekip prej 12 ekspertësh ndërkombëtarë, kryesisht ushtarakë, të cilët bënë parashtresë në Apel, pasi dëshironin ta mbronin Operacionin Stuhia në çështjen e 200-metrëshit.

Sipas tyre, ky standard ishte jashtë praktikës normale, sepse në artilerinë ushtarake jo gjithmonë një predhë bie saktësisht në objektiv.

Edhe kjo përpjekje u refuzua nga gjyqtarët dhe u kundërshtua nga prokuroria, por Kroacia nuk u dorëzua.

Beteja juridike dhe politike u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas databazës amerikane për agjencitë e lobimit, kompania Patton Boggs u angazhua nga Kroacia që, përpara kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë, Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera, të kundërshtonte dënimin e Gotovinës dhe kriminalizimin e Operacionit Stuhia.

Në dhjetëra takime, argumenti kryesor ishte pikërisht ky 200-metrësh, pasi, sipas tyre, ky standard mund të implikonte drejtpërdrejt edhe personelin ushtarak amerikan gjatë operacioneve luftarake, humanitare dhe paqeruajtëse.

Në fund, Kroacia e fitoi Operacionin Stuhia në terren, në gjykatë dhe në diplomaci.

Gotovina dhe të tjerët u kthyen në atdhe.

Por, këtë fat nuk e patën krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk e pati vetë UÇK-ja.

Ajo nuk u kthye në atdhe.

Mbeti e burgosur në Hagë përmes një aktgjykimi skandaloz, që e kriminalizon UÇK-në në qëllime, në metoda dhe në strukturën politike e ushtarake.

Shteti e dinte se kjo mund të ndodhte, sepse e pa aktakuzën që e rishkruante historinë e Kosovës dhe procesin skandaloz gjyqësor, me shkelje të vazhdueshme e qasje politike.

Por qëndroi si spektator, duke u mburrur me disa milionë që pagoi për avokatët, të cilat më shumë i përmendi si sulm ndaj katërshes së UÇK-së sesa si akt i domosdoshëm.

Dhe kështu po sillet edhe pas 16 shtatorit, si spektator.

Përballë revoltës popullore e aktgjykimit absurd, shteti po kërkon qetësi dhe ushqen debatin me rezoluta në Kuvend, përmbajtja dhe efekti i së cilave mbaron të nesërmen.

Kroacia luftoi që historia e saj të mos shkruhej vetëm në Hagë.

Kosova, në anën tjetër, po e lë Hagën ta shkruajë historinë e saj në heshtje, me narrativë skandaloze që burimin e kanë në Beograd.