Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në komunën e Kamenicës ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh dhe pajisjesh që dyshohet se përdoreshin nga strukturat paralele serbe, si dhe me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të arrestuarit janë N.V. (46) dhe D.K. (44), të dy qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb. Ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjatë bastisjeve të realizuara në disa lokacione, përfshirë banesa, lokale afariste dhe objektin e shkollës “Bratstvo” në fshatin Strezoc, hetuesit kanë sekuestruar dokumente dhe materiale që dyshohet se lidhen me funksionimin e strukturave paralele serbe në Kosovë.
Në mesin e provave të konfiskuara janë një vulë me stemën e Republikës së Serbisë, dokumentacion që lidhet me punësime dhe administrim në kuadër të sistemit paralel serb, dokumente me të dhëna që ndërlidhen me subjektin politik Lista Serbe, gjashtë laptopë, katër njësi kompjuterike, një USB dhe një telefon mobil.
Policia njoftoi se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë, 19.440 euro, 91.500 dinarë serbë, 200 dollarë amerikanë dhe 1.300 franga zvicerane.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura. Gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë, 19.440 euro, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1.300 franga, vulë me stemë të shtetit të Serbisë, gjashtë laptopë, katër njësi kompjuterike, një telefon, si dhe dosje me dokumentacione, përfshirë kontrata të punëtorëve nga sistemi paralel serb dhe dokumente të tjera”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.









