Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që Kosova të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që në këmbim të marrë mbështetje në sektorin e sigurisë.
Kurti, të martën, teksa po qëndronte në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, ka thënë për prestigjiozen britanike Times se “ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar”.
“E vlerësojmë këtë si detyrën tonë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë dhe, ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme dhe juristëve për mënyrën se si ta bëjmë këtë proces sa më të qetë dhe të dobishëm për të dyja palët”, shtoi Kurti.
Kurti deklaroi se në këmbim Kosova do të kishte dëshirë “të marrë mbështetje kryesisht në fushën e sigurisë, qoftë përmes marrëveshjeve strategjike, apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund t’i realizojmë”.
“Natyrisht, duam që si vend të përfitojmë, por e konsiderojmë, para së gjithash, detyrë tonën të ju ndihmojmë, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, nënvizoi ai.
Kujtojmë se disa muaj më parë, Qeveria e Kosovës kishte shprehur gatishmëri për të hyrë në bisedime me Britaninë për ndërtimin e qendrave për strehimin e azilkërkuesve të refuzuar nga kjo Mbretëri.
Më herët gjatë këtij viti, organizata me renome botërore, Human Rights Ëatch, i kishte bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar e vendeve të Bashkimit Evropian që të mos përdorin Ballkanin si “depo për emigrantët”.
Zyrtari i kësaj organizate, Michael Bochenek, kishte thënë në qershor për Radion Evropa e Lirë se Ballkani është bërë cak i planeve të tilla të shteteve më të fuqishme për disa arsye.
“Vendet e Ballkanit nuk kanë historik vërtet të tmerrshëm të shkeljeve të të drejtave të njeriut [krahasuar me vendet e tjera që janë përdorur për këto plane, si Ruanda, Sudani Jugor, Libia]”, tha ai.
Kohëve të fundit Kosova është përfolur si vend i mundshëm për strehimin e të burgosurve nga Belgjika, ndërsa më parë, në vitin 2022, Kosova kishte bërë një marrëveshje për pranimin e të burgosurve edhe me Danimarkën, marrëveshje e cila edhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe që pritet të hyjë në efekt në fillim të vitit 2027.









