Ky lajm është përditësuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se do t’i ftojë në takime kryetarët e partive opozitare lidhur me çështjen e Presidentit, ndonëse nuk ka treguar se kur do ta bëjë këtë.

“Padyshim që do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve e po e riktheksoj unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin aty”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

“Dhe për këtë do të bëj edhe ftesa e do të zhvillojmë edhe takime, por çfarë ofertash e kërkesash do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime”.

Gjatë konferencës, Kurti u pyet sërish për çështjen e Presidentit. Ai tha se fillimisht do t’i zhvillojë disa konsultime të brendshme dhe pas kësaj do të dërgojë ftesa për liderët e partive opozitare.

“Sigurisht që kjo është çështje tejet e rëndësishme zgjedhja e Presidentit. Ne e marrim me seriozitetin më të lartë institucional e politik. Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nëse nuk jam gabim kemi kohë deri më datën 28 prill që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra nuk janë 3 ditë janë 30”.

“Por, do të përpiqemi që sa më parë që të bëjmë sa më shumë, por mua më nevojiten konsultimet e brendshme dhe natyrisht ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvilloj menjëherë do të dërgoj ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”.

Kurti deklaroi se aq sa është e rëndësishme të trajtohet me urgjencë kjo çështje, “është e rëndësishme edhe të kemi sukses, sepse në fund të fundit nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”.

Të mërkurën, Kushtetuesja konstatoi se vendimi i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik dhe u dha kohë 34 ditë deputetëve që ta zgjidhen të parin e shtetit. Nëse nuk zgjidhet brenda këtij afati kohor, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.