Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do t’i ftojë partitë opozitare në takim për çështjen e Presidentit, kur kanë mbetur edhe 26 ditë afat për ta përmbyllur këtë proces.
“Sigurisht”, tha shkurt Kurti kur është pyetur për këtë çështje para nisjes së seancës së Kuvendit. Por, nuk ka treguar se kur do ta bëjë.
Kurti edhe të hënën theksoi se do t’i ftojë partitë opozitare në takim lidhur me këtë çështje, mirëpo deri më tani nuk e ka bërë.
Seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit dështoi dhe më pas Presidentja Vjosa Osmani e kishte shpërndarë Kuvendin.
Por, këtë vendim Vetëvendosja e kishte dërguar në Kushtetuese, e cila konstatoi se dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë për ta zgjedhur Presidentin. Nga ky afat kanë mbetur edhe 26 ditë.









