Kosova, saktësisht ndalimi i luftës me Serbinë, është përmendur edhe në dokumentin e ri të Strategjisë për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dokumentin që udhëzon objektivat kryesore të sigurisë amerikane, kërcënimet ndaj tyre dhe mënyrat se si të minimizohen këto rreziqe.

Në dokumentin e ri janë parë thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke thënë se ky kontinent po përmbys demokracinë, bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “fshirje civilizimi” nga migrimi i madh dhe shkallë të ulëta nataliteti.  

Dokumenti akuzon zyrtarët evropianë për pengim të përpjekjeve amerikane për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke i akuzuar qeveritë se po injorojnë çfarë dokumenti quan “shumicë e madhe evropiane” që dëshiron paqe.

Dokumenti 33-faqësh shpërfaq riorientimin radikal të politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e presidentit amerikan. Donald Trump. Aty deklarohet dominim amerikan në hemisferën perëndimore si objektivin kryesor, që po shihet si një version i përditësuar i Doktrinës Monroe, doktrinë që njihte rajonin si sferë me influencë amerikane në vitin 1823.

Ndryshe nga verzioni i fundit, që ishte hartuar nga administrata Biden, dokumenti i ri lë anash Kinën si prioritet ndërkombëtar.

Në dokument u përmend edhe ndalimi i disa luftërave nëpër botë si sukses i politikës së jashtme të Trump. Ndër to, pa u përmendur nuk mbeti edhe evitimi i konfliktit Kosovë-Serbi, i cili u përmend shpesh në deklarimet publike të Donald Trump e që tashmë ka zënë vend edhe në faqen tetë të dokumentit më të rëndësishëm të SHBA-së.

“Presidenti Trump ka shfrytëzuar aftësinë e tij për mbyllje të marrëveshjeve për të arritur paqe në tetë konflikte të paprecedentë rreth botës në vetëm 8 muajt e parë të mandatit të tij të dytë. Ai negocioi paqe mes Kamboxhisë dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Paksitanit dhe Indisë…”, shkruhet në seksionin e ‘Parimeve’ në dokument.