Mandati i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon në mars, ndërsa ajo ka shprehur publikisht synimin edhe për një mandat të dytë. Në këtë kontekst, deklaratat e saj të fundit lidhur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kanë tërhequr vëmendje, veçanërisht në raport me dinamikat politike ndërkombëtare dhe procesin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë.

Të mërkurën, në një intervistë për revistën amerikane Newsweek, Osmani u pyet nëse do ta nominonte Donald Trump-in për Çmimin Nobel për Paqe. Përgjigjja e saj ishte e qartë: “Sigurisht, nëse jam presidente, [sa herë që] të ndodhin këto gjëra”.

Kjo deklaratë lidhet edhe me qëndrime të mëhershme të Osmanit. Në korrik të vitit 2025, ajo kishte deklaruar se ka “informacione të besueshme” sipas të cilave Trump kishte parandaluar së fundmi një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Deklarata u bë në Uashington, gjatë një ligjërate, ku Osmani theksoi se nuk bëhej fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por për situata shumë të afërta në kohë.

“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020, por për zhvillime shumë të fundit. KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje”, kishte deklaruar Osmani, pasi që në disa raste Trump kishte thënë se ka zgjidhur disa konflikte aktuale në botë, ndër to edhe atë mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Osmani nuk kishte qenë kaq e zëshme në mbrojtje të Trump-it dhe e rreshtuar në një linjë me të më parë. Ajo nuk kishte reaguar fare kur ish-bashkëpartiakja e saj, aktualisht Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, shkruante në vitin 2021 se “as Trump-i dhe as [Richard] Grenell-i nuk janë interesuar asnjëherë për Kosovën, ata interesohen vetëm për veten e tyre”.

Kjo qasje e Osmanit ndaj Trump-it, ka rënë në sy edhe të gazetarëve ndërkombëtarë. Michael Martens, një nga gazetarët perëndimor që i njeh më së miri zhvillimet në Ballkan, ka shkruar të mërkurën një artikull në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku ka analizuar strategjinë politike të Osmanit në prag të përpjekjeve për rizgjedhje.

Sipas Martensit, Osmani po tenton ta paraqesë veten si një figurë e afërt me Donald Trumpin, në një kohë kur i nevojitet mbështetja e Kuvendit të Kosovës për një mandat të dytë presidencial.

“Osmani po e luan lojën e saj. Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por, këtë mbështetje nuk e ka. Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’. Kalkulimi është ky: SHBA-ja për Kosovën – jo vetëm përmes bazës ushtarake Bondsteel në jug të vendit, por përmes gjithë historisë së shtetit të ri – është një faktor aq i rëndësishëm, sa që ky etiketim mund t’ia sigurojë rizgjedhjen përndryshe tejet të pasigurt”, shkroi Martens.