“Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”, është slogani që Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur për fushatën për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Ky slogan është prezantuar nga Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku theksoi se “ky është slogani ynë, por mbi të gjitha, ky është misioni ynë”.
“STOP krizave politike. STOP çmimeve të larta. STOP pasigurisë, përçarjes dhe mungesës së shpresës. Kosova ka nevojë për ndryshim. Për stabilitet, zhvillim dhe një qeveri që merret me jetën e përditshme të qytetarëve. Me mirëqenien e familjeve kosovare”, shkroi Hamza në Facebook.
Ai theksoi se ky është mesazhi që ka dëgjuar çdo ditë nga qytetarët anekënd Kosovës.
“Dhe kur kjo kërkesë vjen nga familjet, nga të rinjtë, nga punëtorët e pensionistët që po e përballojnë jetën çdo ditë me vështirësi, atëherë ndryshimi nuk është vetëm nevojë – është domosdoshmëri”.
Hamza pohoi se ky është zotimi i tyre: “T’i japim fund krizave. Ta ndryshojmë bashkë Kosovën!”.









