Newsmax Balkans raporton, duke u mbështetur në burime të besueshme pranë administratës Trump, se në Uashington tashmë “ka nisur procesi i përgatitjes për një nga ndryshimet më të mprehta në politikën e jashtme dhe gjyqësore amerikane – një ndërprerje të plotë ose reduktim drastik të financimit të institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë”.

Sipas Newsmax, rrjet televiziv amerikan, gjatë dekadave të fundit Shtetet e Bashkuara kanë investuar “më shumë se 100 miliardë dollarë” në gjykata ndërkombëtare, dhoma të specializuara dhe fonde të ndryshme gjyqësore në mbarë botën.

Administrata e re amerikane beson se ky model është “i vjetruar”, politikisht i komprometuar dhe financiarisht i paqëndrueshëm, veçanërisht sepse, sipas tyre, shumë prej këtyre institucioneve janë përdorur për qëllime të politikës së jashtme të administratave të mëparshme.

Sipas zyrtarëve të lartë, ekziston një qëndrim i qartë në majat e administratës së re: Amerika vjen e para dhe “nuk duhet të ndërhyjë në problemet e brendshme të vendeve të tjera”, veçanërisht kur një ndërhyrje e tillë u kushton taksapaguesve amerikanë.

Financimi për gjykatat ndërkombëtare mund të pezullohet plotësisht, ndërsa mjetet financiare do të ridrejtohen drejt prioriteteve të brendshme të SHBA-së, shkruan Newsmax Balkans.

Sipas këtyre informacioneve, institucionet që për dekada kanë luajtur rol kyç në Ballkan – këshillat e specializuara në Kosovë, projektet ndërkombëtare gjyqësore në rajon dhe sistemi më i gjerë i mbështetjes për gjyqësorin, i cili në masë të madhe varej nga fondet amerikane – gjithashtu do të jenë në shënjestër.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, një pjesë e stafit janë amerikanë, përfshirë kryeprokurorin, disa prokurorë dhe disa gjyqtarë, mes tyre edhe kryetari i panelit në rastin kundër krerëve të UÇK-së.

Burimi i Newsmax Balkans pohon se në Uashington po diskutohet gjithnjë e më shumë roli i ish-Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, dhe i aparatit të gjerë të politikës së jashtme, i cili, sipas tyre, krijoi një sistem presioni politik përmes sanksioneve, proceseve gjyqësore ndërkombëtare dhe një rrjeti ndikimi.

Sipas këtyre informacioneve, Blinken vendosi sanksione ndaj liderëve rajonalë “që nuk ishin të gatshëm të ndiqnin interesat amerikane”, duke ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e rrymave politike jashtë kufijve të SHBA-së.

Institucionet ligjore dhe gjyqësore, përfshirë dhomat e specializuara, ishin pjesë përbërëse e këtij aparati.

Newsmax shkruan se administrata e mëparshme, e udhëhequr nga Blinken dhe figurat kyçe të rrethit të politikës së jashtme të Bidenit, kaloi vite duke ndërtuar një aparat kompleks të ndikimit politik në Ballkan.

Duke iu referuar burimeve, Newsmax raporton se këta mekanizma shpesh u formësuan nga interesa personale më shumë sesa nga prioritetet objektive kombëtare amerikane, gjë që, siç pretendojnë ata, la pas një rrëmujë serioze institucionale.