“Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”.

Kështu kanë thënë nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (OVL-UÇK), pasi që Gjykata Speciale e ka shtyrë – sërish – shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së për 16 shtator.

Këtë shtyrje, ata e konsiderojnë të si “të padrejtë” dhe “të papranueshme”.

“OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm”.

Për ta, nuk ka asnjë dilemë se i gjithë procesi është “në shërbim të politikës së Serbisë”.

“Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia”, potencohet aty.

OVL-UÇK thekson se asnjë kalendar gjyqësor, nuk e rishkruan “themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë”.

“Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë”.