Halil Geci, personi që kërcënoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është intervistuar nga Prokuroria Speciale, departamenti i Krimeve të Rënda.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Gazmend Halilaj.

“Miq të dashur, pas disa orë në Krime të rënda, u liru Baci Lilë. Në asnjë vend Demokratik, nuk ndodh qe Presidenti i shteti, të merret me statuse të qytetarit të cilët me Konventë Evropiane dhe Kushtetutë të Republikës, …e drejta e shprehjes së mendimit të lirë garantohet…”, shkroi ai në Facebook.

Në një reagim mëngjesin e së hënës, Presidenca e Kosovës dënoi ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Vjosa Osmani.

“Thirrjet për ‘pushkatim’ nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim”, thuhej në reagimin e Presidencës.

Pas kësaj, Prokuroria Speciale njoftoi se kishte iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani.

Organi akuzës njoftoi se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.