Vjosa Osmani, ish-Presidente e Kosovës, nuk e ka thënë asnjë fjalë në lidhje me zhvillimet politike për çështjen e Presidentit, ndonëse edhe emri i saj u përmend si kandidate për Presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në mbrëmjen e së hënës, Lëvizja Vetëvendosje, thirri seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit. Propozoi dy kandidate: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Opozita – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e bojkotuan këtë seancë.
Në sallë ishin vetëm 64 deputetë të koalicionit qeverisës, ata të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komuniteteve jo shumicë jo serb.
Përkundër se nuk kishte kuorum, pra nuk ishin të pranishëm në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, Vetëvendosja filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit.
Madje, e mbajtën edhe një raund të votimit, në të cilin, Feride Rushiti mori 63 vota. Pasi numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, e ndërpreu seancën dhe e shtyu të njëjtën për të martën për në ora 10:00. Edhe kjo seancë u shty për në ora 14:00.
Opozita reagoi ashpër njëzëri ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe paralajmëruan edhe protesta e masa të tjera kundërshtuese.
E vetmja që nuk e tha asnjë fjalë ishte Vjosa Osmani.
Osmanit i përfundoi mandati pesë vjeçar si Presidente më 4 prill 2026. Ajo kishte shprehur publikisht synimin edhe për një mandat në krye të shtetit, por nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje, partneri i saj i dikurshëm.
VV-ja fillimisht propozoi dy kandidatë: Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Kollçaku.
Por, seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit me këta dy kandidatë dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Një ditë më pas, më 6 mars, Osmani, si Presidente, shpërndau Kuvendin dhe tha se “njerëz të rrezikshëm e sollën vendin këtu”, duke aluduar në VV-në.
Kryeministri Albin Kurti dhe partia që ai drejton kundërshtuan dekretin e saj dhe iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e saj për këtë çështje, akti më i lartë juridik i vendit konstatoi se dekreti i Osmanit nuk ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve edhe 34 ditë për ta zgjedhur Presidentin (sot, e hënë 28 prill, është dita e fundit).
Pas këtij vendimi, Kurti filloi takimet me paritë opozitare, por pa marrëveshje, pasi që Kryeministri nuk hoqi dorë nga pozita e Presidentit. Ai i ofroi LDK-së zëvendëskryeministrin dhe katër ministri ose Kryetarin e Kuvendit, ndërsa PDK-së vetëm Kryetarin e Kuvendit.
LDK dhe PDK refuzuan këto oferta. Më pas, Kurti ashpërsoi sulmet ndaj opozitës, duke thënë se ato po sillen “më keq se Fatmir Limaj vitin e kaluar” dhe i akuzoi se nuk po duan që ta lëjnë që të qeverisë.
Një ditë pas kësaj deklarate, të shtunën e 25 prillit, VV-ja doli edhe me një ofertë të re, duke i kërkuar opozitës që të propozojë tre kandidatë për President jashtë skenës aktuale politike.
LDK iu përgjigj me propozimin e Vjosa Osmanit, ndërsa PDK refuzoi këtë ofertë duke e konsideruar si manovër të Kurtit dhe thanë se çështja e Presidentit për ta është e mbyllur.
VV dhe Kurti nuk iu përgjigjen propozimit të LDK-së për Osmanin. Madje, Kurti në seancën e së hënës ku diskutuan për çështjen e Presidentit, e konsideroi Osmanin si kandidate partiake.









