Katër serbë gjeneralë dhe zyrtarë të lartë të ushtrisë e policisë jugosllave gjatë luftës në Kosovë – kanë pasur një proces gjyqësor më të shpejtë sesa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiq, Vladimir Lazareviq dhe Vlastimir Gjorgjeviq nuk kanë qëndruar asnjëri më shumë se katër vjet nën proces gjykimi, nga dita e arrestimit deri në shpalljen e verdiktit në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Ndërkaq, për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, koha po matet ndryshe.

Më 5 nëntor mbushen pesë vjet që kur ata ndodhen prapa grilave, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka përfunduar.

Gjykimi pritet të hyjë në vitin e gjashtë – një rast pothuajse i pashembullt në historinë e gjykimeve ndërkombëtare për krime lufte, ku periudha nga arrestimi deri te verdikti i shkallës së parë zgjat kaq shumë.

Në praktikat ndërkombëtare, zakonisht, një proces i tillë nuk tejkalon katër vjet.

Dhe kështu ishte edhe me gjeneralët serbë në Tribunalin e Hagës për Ish Jugosllavinë.

Komandanti i Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, u dorëzua më 25 prill 2005 dhe mori verdiktin dënues më 26 shkurt 2009 – pra 3 vjet e 10 muaj kohë.

Ish-zëvendësministri i Brendshëm i Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, kaloi 3 vjet e 8 muaj proces, duke u arrestuar në qershor 2007 dhe u dënua më 23 shkurt 2011.

Për Vladimir Lazareviq, që udhëhoqi Korpusin e Prishtinës në Ushtrinë Jugosllave, u deshten kater vjet, u arrestua më 4 shkurt 2005 dhe u dënua pas 4 vjetëve, më 26 shkurt 2009.

Ndërsa Sreten Lukiq, qe ishte shef i Shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë që nga viti 1998, kaloi 3 vjet e 10 muaj gjykim – duke u arrestuar më 4 prill 2005 dhe mori verdiktin më 26 shkurt 2009.

Të katër këta persona u dënuan për krime lufte në Kosovë, për vrasje dhe dëbime masive të popullsisë shqiptare.

Por, me një efikasitet e shpejtësi në gjykim, që është e drejtë themelore njerëzore, nuk u trajtuan nga prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë krerët e UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u dërguan në paraburgim në Hagë më 5 nëntor 2020.

Për më shumë se dy vjet e gjysmë, ata u mbajtën aty pa nisur fare procesi gjyqësor. Vetëm në prill 2023 filluan seancat dëgjimore, të cilat vazhdojnë ende, tash me dëshmitë e mbrojtjes. Sipas parashikimeve, verdikti mund të shpallet në pranverën e vitit 2026.

Kjo do të thotë se katër të akuzuarit do të kenë kaluar pesë vjet e gjysmë në paraburgim e proces gjykimi, një periudhë e tejzgjatur që ngre pyetje serioze për standardet e drejtësisë.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në nenin 5, garanton se çdo i akuzuar duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës e justifikojnë vonesën me “kompleksitetin” e çështjes, atëherë lindin disa pyetje:

Ku mbetën pesë vitet e tjera të hetimeve dhe përgatitjeve që nga themelimi i tyre në vitin 2015?

Pse të akuzuarit duhet të mbajnë barrën e ngadalësisë dhe mungesës së efikasitetit të prokurorisë dhe vetë gjykatës?

A mund të quhet vërtet “komplekse” një çështje e përgatitur mbi dosje të gatshme të Serbisë, apo mbi materiale të ricikluara nga hetimet dhe proceset e mëparshme të EULEX-it, UNMIK-ut, gjykatave vendore dhe vetë Tribunalit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi?

Pse një gjykatë, me qindra miliona euro buxhet, me prokurorë, gjykatës e staf me paga të mira, nuk mund të garantojë një proces gjykimi me standarde ndërkombëtare në të cilat thirret – një prej tyre gjykimi në kohë të arsyeshme?

Pse katër figura të larta të UÇK-së – krerë institucionesh dhe qytetarë të këtij vendi – duhet të sakrifikohen me vite të jetës së tyre për një eksperiment ndërkombëtar që dështoi në gati çdo segment të tij?

Kur drejtësia zgjatet pafund, ajo nuk po kërkon më të vërtetën, por arsyetime për vonesën dhe rastin e saj.

Më shumë se pesë vjet pa vendim nuk janë proces, por shkelje e dinjitetit dhe te drejtave njerëzore.