Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, megjithatë shkon në gjykatë.
Ai është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po mbahet seanca ndaj njërit prej drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.
Ky i fundit, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se e kanë kërcënuar Kurtin përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Paraqitja e Kurtit në gjykatë duket pak e befasishme.
Ai po refuzon tash e disa muaj të shkojë në prokurori për një intervistim lidhur me disa hetime për korrupsion në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në rastin e rezervave shtetërore.
Kurti bënte manovra me fjalë, duke thënë se intervistimi mund të bëhej edhe në zyrën e tij.
Në një intervistë, Kurti e kishte cilësuar ftesën e prokurorisë si një përpjekje për ta bërë atë lajm ndërkombëtar, se “kryeministri i vendit shkon në prokurori për korrupsion”.
Por kjo teori e tij për lajme ndërkombëtare, në fakt ndodhi për mos shkuarjen e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje pikërisht refuzimit të tij për t’iu përgjigjur organeve të drejtësisë.